Dardan Gashi, ministër i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MNPH) dhe Rasim Selmanaj, kryetar i Komunës së Deçanit, në praninë e zyrtarëve të kësaj ministrie dhe të Komunës, kanë nënshkruar memorandumin e mirëkuptimit në mbështetje të projektit të ujësjellësit për 10 fshatra me një kosto prej 900 mijë eurosh. Vërtetë, ky do të jetë vazhdim i një projekti në vlerë prej mbi 300 mijë eurosh i bashkë financuar nga AER-i dhe Komuna, i cili është treguar mbase i dështuar dhe për shkak të mosfunksionimit të sistemit të pompimit tash e tre vjet, kanë mbetur vetëm gypat e rrjetit primar të këtij ujësjellësi.Nga ana e tij, kryetari Selmanaj, pasi ka falënderuar për mbështetjen e kësaj ministrie për dy projekteve të mëdha, ka treguar se Komuna e tij, këto investime do të arsyetojë me dinamikat e planifikuara dhe kualitetin e punimeve. “Çdo cent që vije nga përkrahja juaj, por edhe i të gjitha ministrive të tjera, sikurse edhe drejtpërsëdrejti nga qeveria dhe donatorët e jashtëm do të menaxhohet me korrektësi dhe në mënyrën më të përgjegjshme”, ka siguruar ai, duke shprehur besimin se kështu do të ndodhë edhe me projektin e ujësjellësit të 10 fshatrave. Selmanaj, duke shpalosur projektin ka thënë se ujë për pije do të sigurohet jo me sistem pompimi, por me rënie të lirë nga vendi i quajtur “Gurrat e Hasan Agës”, ku nga qendra e pompimit në Drenoc, duhet të ndërtohet rrjeti furnizues prej 24 kilometrash.
“Janë siguruar fondet dhe krejt çka vonohet do të jenë procedurat ligjore dhe ato të tenderimit”, ka thënë ministri Gashi, i bindur se realizimi i këtij projekti do të fillojë së shpejti, ngase sipas tij, sigurimi i ujët për pije është problem jetik për qytetarët, të cilët me të drejtë kërkojnë kushte për jetë. “Jam shumë i sigurt se realizimi i këtij projekti do të përmirësojë jetën e qytetarëve të 10 fshatrave, të cilët kanë probleme të mëdha për sigurimin e ujit të pijes”, është shprehur ai, duke vlerësuar se një investim të tillë edhe e meritojë. Për më tepët Gashi, ka vlerësuar se “Deçani edhe pse ka dhënë shumë për lirinë e vendit dhe ishte njëra ndër më të shkatërruara nga lufta e fundit, ka qenë e diskriminuar në aspektin e mbështetjes së investimeve kapitale”. Dhe jo rastësisht në MMPH kemi vendosur për përkrahjen e projekteve kapitale dhe jetike për këtë Komunë, ka nënvizuar ai duke përmendur mbështetjen e projekti të kanalizimit të ujërave të zeza, vitin e kaluar, kurse sivjet atë për ndërtimin e ujësjellësit.
Ministri Gashi dhe stafi i tij, bashkë me kryetarin e komunës Rasim Selmanaj dhe udhëheqjen komunale kanë inspektuar punimet që po realizohen në ndërtimin e rrjetit të kanalizimit, ndërkohë janë shprehur të kënaqur me dinamikën e punimeve të këtij projekti kapital, i cili problemin e ujërave të zeza jo vetëm që do të zgjidhë për Deçanin, por edhe për disa fshatra të tij.