Zëvendës-Kryeministër dhe ministër i MAPL të Kosovës, Sllobodan Petroviq,në vizitën e tij të parë në Deçan, është mirëpritur nga udhëheqja e këtushme komunale, ndërkohë pasi ka vlerësuar përmirësimin e marrëdhënieve me Manastirin e Deçanit,
, ka mbështetur projektet zhvillimore në këtë komunë. Ai pasi ka ngritur lëvdata në adresë të kryetarit të Komunës, z.Rasim Selmanaj, siç tha ai për realizimin e shumë projekteve dhe në veçanti në avancimin e marrëdhënieve të mira me Manastirin, ka thënë se “MAPL dhe Qeveria aktuale e Kosovës nuk i ndan qytetarët e saj në pozitë dhe opozitë, por kemi përcaktuar çartë prioritet tona dhe do ti mbështesim projektet me rëndësi jetike për të gjithë qytetarët”. Për më tepër ministri Petroviq, Deçanin e ka cilësuar si prioritet, duke u deklaruar se ministria e tij do ta mbështesë me projekte të ndryshme.
Duke iu rikthyer raporteve me Manastirin, Petroviq, ka thënë përmirësimi i marrëdhënieve hap shtigje të zhvillimit dhe perspektivës për të gjithë si për Komunën, qytetarët e saj ,por edhe për vet Manastirin. Ai ndonëse pas vizitës në Komunë, kishte planifikuar të vizitonte edhe Manastirin, për shkak se krerët e Manastirit ishin të zënë në pritje të një delegacioni nga Norvegjia, ka thënë se kjo vizitë e rëndësishme do të behet gjatë javës së ardhshme, duke besuar se pas saj do të realizohen projekte zhvillimore.
Ndërkaq, kreu I Komunës, Rasim Selmanaj, ka mirëpritur përkrahjen e MAPL-së, e cila për fillim për projektet në Deçan ka ndarë 200 mijë euro. “Këto para bashkë me investimet nga buxheti Komunal do shfrytëzohen në realizimin e projektit për zgjerimin e rrugës “Haki Pavataj”, ka thënë kryetari Selamanaj, i cili ka vlerësuar se për dallim nga vitet e mëparshme, në vitin e parë të mandatit të tij, ka pasur mbështetjen e Qeverisë për projektet në Deçan, por jo në masën e duhur, sepse sipas tij, nevojat për investime në këtë komunë janë shumë më të mëdha , projekte këto të cilat nuk mund të realizohen pa mbështetjen e Qeverisë dhe Ministrive të saj.