“Ju mbajtët gjallë ndjenjën e shtetit dhe të lirisë. Ishin edukues dhe pjesë e lirisë dhe shumë mësues e nxënës, pjesëtarë të UÇK-së, u bënë themel i pavarësisë”.Me këto fjalë i është drejtuar Rasim Selmanaj, kryetar i Komunës,mësuesve të kësaj komune, të cilët bashkë dhe solemnisht po shënonin ditën e tyre.
Derisa kryetari Selmanaj, nënë patronatin e të cilit po mbahej ky manifestim, foli për rrugën e gjatë të arsimimit të gjeneratave dhe të sakrificave të mëdha përballë represionit të pushtuesit serb, Qazim Maloku, drejtor i DA, ka nënvizuar disa nga të arriturat e mëdha në këtë fushë.
Pjesë e këtij manifestimi ishte edhe ndarja e mirënjohjeve për mësuesit e dalluar, ndërkohë për kontribut të jashtëzakonshëm në fushën e arsimit dhe në shërbim të atdheut janë ndarë edhe tri çmimet “Haki Pavataj” tashmë tradicionale. Ky çmim postmortum i është ndarë Binak Aliçkaj, ish-profesor dhe ish-kryetar i degës së LDK-së në Deçan, dhe profesorëve Maxhun M. Çekaj dhe Tafil Kasumaj, dëshmor të kombit. Në emër të laureatëve të këtyre çmimeve kanë falënderuar Lirije Pavataj dhe Zenel Kasumaj.