Përfaqësues institucionesh, krijues dhe aderues të shumët të fjalës së shkruar, kanë promovuar librin “Jehon Kënga e Çiftelia”, të rapsodit të njohur deçanas Zekë Lushaj.
Është kjo një vepër që shton vlerat e kulturës nacionale dhe në veçanti të folkloristikës shqiptare, të cilat u shkruan dhe u kënduan brez pas brezi, duke mbajtur gjallë një popull të tërë në luftën e tyre për liri”, ka thënë Faik Doda, drejtor i Drejtorisë Komunale për Kulturë, i cili në vazhdim ka folur për temat e trajtuara në librin e parë të Lushajt.
Për redaktorin e librit, kritikun letrar Ali Demë Jasiqi, kjo është një vepër e veçantë e shkruar sipas modelit të rapsodive popullore, ngase edhe vet autori është krijues dhe rapsod i njohur, i cili me këngën e tij, nën tingujt e çiftelisë decenie me radhë u këndoj trima të lirisë, të cilët janë edhe personazhet kryesore të tij. “Është i veçantë, sepse lexuesi këtu do të gjejë tema e motive më të llojllojshme, të trajtuara me një përkushtim të madh, që të pasqyrojë realitetin,përkatësisht ngjarjet që e kanë përcjellë popullin nëpër valët e jetës, duke filluar nga historia e vendit, nëpër baticat dhe zbaticat nëpër të cilat ka kaluar,gjer ke vjershat humoristike me të cilat thumbohen dukuritë negative në shoqëri”, ka vlerësuar Jasiqi.
“Poezitë e kësaj përmbledhje janë krijime të thurura sipas modelit të metrikës klasike, ku kërkohet edhe përputhja e rrokjeve në fund të vargjeve. Ndoshta edhe për këtë ato nganjëherë edhe dukën si këngë popullore,edhe pse ato, në pjesën më të madhe,janë krijime origjinale të autorit”, ka thënë redaktori i librit Halit Haxhosaj. Ndërkohë, për librin kanë folur edhe Engjell Berisha,Hasan Gjiobalaj dhe Ali Çufaj, kurse vargje nga libri ka recituar aktori Sylejman Lokaj.