Manifestimi tradicional “Flaka e Janarit”, i cili në Deçan shënohet me aktivitete të shumta kulturore, të hënën ka nisur me shënimin e 29-vjetorit të vrasjes së atdhetarëve Jusuf dhe Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës.
Në vendlindjen e vëllezërve Gërvalla, në Dubovikë të Deçanit, përkatësisht në kompleksin memorial, familjar të dëshmorëve, bashkëveprimtar të këtyre atdhetarëve të devotshëm dhe autoritete nga komunat e Dukagjinit, kanë bërë homazhe dhe kanë vënë kurora lulesh tek lapidarët e tyre të ngritura si flakadan të lirisë.
‘’ Veprimtaria patriotike e Jusuf dhe Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës, janë më shumë se obligim ynë dhe i gjithë shqiptarëve kudo jenë të përkujtojnë dhe nderojnë këto figura të historisë sonë të lavdishme”, ka thënë Rasim Selmanaj, kryetar i Komunës së Deçanit, i cili në vazhdim ka përkujtuar veprimtarinë patriotike e cila sipas tij, ishte bërë gurëthemel i lirisë që po vinte që u fitua nga lufta e lavdishme të UÇK-së. Ne që po e gëzojmë lirinë dhe pavarësinë e vendit,por edhe brezat që do të vijnë pas nesh nuk mund të harrojmë veprimtarinë patriotike të gjithë brezave e kurrsesi luftën për liri dhe të gjithë ata që lijuan dhe sakrifikuan për Kosovën, është shprehur ai, duke treguar se Komuna pos ndërtimit të këtij kompleksi memorial, veprimtarinë e këtyre patriotëve do ta shënojë edhe përmes manifestimit tradicional “Flaka e Janarit”.