Sot, në një seancë solemne të Kuvendit të Komunës së Deçanit, patëm kënaqësinë dhe nderin që t’i ndajmë titullin “Qytetar Nderi” gazetarit të njohur dhe të respektuar shqiptar, Marin Mema, për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në mbrojtjen, dokumentimin dhe promovimin e historisë, trashëgimisë dhe çështjes kombëtare shqiptare.
Seancën e udhëhoqi kryesuesi, z. Hajdar Sutaj, ndërsa çmimi i lartë iu dorëzua z. Mema nga Kryetari i Komunës së Deçanit, z. Bashkim Ramosaj, në prani të ish-Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Ramush Haradinaj, si dhe qytetarëve të shumtë që kishin ardhur për të ndjekur nga afër këtë ngjarje domethënëse.
Shpallja e Marin Memës si “Qytetar Nderi” është një shenjë falënderimi për përkushtimin e tij të palodhshëm në pasqyrimin e realitetit shqiptar me profesionalizëm, guxim dhe ndjenjë të thellë kombëtare.