Në një atmosferë të ngrohtë dhe festive, në Kompleksin “Fetnete Ramosaj”, u mbajt manifestimi tradicional “Dita e Gështenjës”, një ngjarje që tashmë është bërë pjesë e identitetit kulturor të Deçanit.
Kjo festë e veçantë u organizua për të shprehur mirënjohjen për frutin e gështenjës – simbol i begatisë, punës dhe bujarisë së trevës sonë.
Në kuadër të aktivitetit u mbajt panairi i produkteve vendore, ku prodhuesit tanë lokalë prezantuan me krenari punën dhe përkushtimin e tyre. Po ashtu, ekspozita e pikturave solli në pah krijimtarinë e artistëve që për disa ditë qëndruan në Deçan, duke e pasuruar këtë ngjarje me art dhe ngjyra të bukura.
Në këtë ditë të veçantë mori pjesë edhe Kryetari i Komunës së Deçanit, z. Bashkim Ramosaj, i cili përgëzoi organizatorët, artizanët dhe qytetarët për ruajtjen e traditës dhe për promovimin e vlerave lokale që e dallojnë Deçanin.
Kësaj feste iu bashkua edhe lideri Ramush Haradinaj, së bashku me shumë qytetarë, duke e bërë këtë ditë edhe më të veçantë dhe plot emocione.
Faleminderit të gjithëve që kontribuan dhe morën pjesë në këtë ngjarje të bukur tradicionale!