Sot, në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 16 Qershorit – Ditës së Çlirimit të Deçanit, u bënë homazhe dhe u vendosën kurora lulesh pranë lapidarëve në qytetin e Deçanit dhe në Gllogjan, në nderim të dëshmorëve, martirëve dhe të gjithë atyre që sakrifikuan për lirinë e vendit tonë.
Me respektin dhe mirënjohjen më të thellë kujtojmë veprën, guximin dhe sakrificën e bijve dhe bijave më të mirë të kombit, të cilët dhanë gjithçka për lirinë që gëzojmë sot.
Në këtë ditë të shënuar, përulemi me nderim para kontributit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe shprehim falënderim të veçantë për NATO-n dhe aleatët tanë ndërkombëtarë për mbështetjen e dhënë në rrugën drejt lirisë.
Lavdi e përjetshme dëshmorëve të kombit!
Lavdi të gjithë atyre që kontribuuan për lirinë e Kosovës!