Rruga e vetme drejt lirisë është rruga e gjakut të dëshmorëve dhe martirëve të kombit të cilët falën gjakun e jetën e tyre për qëllimin e shenjtë të Lirisë së Atdheut!
Komuna e Deçanit në bashkëpunim me institucionet e saj, në shenjë nderimi dhe përkujtimi për Dëshmorët dhe martirët e Kombit ka organizuar aktivitete të ndryshme kulturore e artistike.
Në nderim të këtyre datave, sot filuam aktivitetet me hapjen e ekspozitës tashmë tradicionale, që mbahet me nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme të Komunës tonë. Kjo ekspozitë u organizua nën kujdesin e Kryetarit të Komunës, z. Bashkim Ramosaj, Drejtorisë së Arsimit dhe Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport.
Në kuadër të kësaj ekspozite u shfaqën 90 punime të mrekullueshme në nivel shkollash, punime këto që pasqyrojnë luftën dhe sakrificën e popullit tonë për liri dhe pavarësi.
Ekspozita do të jete e hapur për dy ditë me radhë.
Aktivitetet në nderim të datave 5 dhe 6 Maj vazhduan me festivalin ”Vallja Popullore” , i cili ka karakter garues, organizuar nga shkollat e Komunës së Deçanit. Në këtë festival morën pjesë të gjitha shkollat fillore në Komunën tonë, ku përmes valleve dhe këngëve nderuan të rënët për Atdhe e njëkohësisht promovuan më së miri vlerat tona Kombëtare!
Aktivitetet e Komunës në nderim të të rënëve për Atdhe do të vazhdojnë me 5 dhe 6 Maj, duke bërë homazhe pranë të gjithë lapidarëve dhe varrezave të dëshmorëve në Komunën e Deçanit, duke vazhduar me aktivitete sportive dhe përmbyllja do të behet me homazhe në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve në Gllogjan, me datë 6 Maj.
Lavdi gjakut të dëshmorëve dhe martirëve të rënë për Atdhe!