Më datë 3 Dhjetor 2025, Komuna e Deçanit në bashkëpunim me OSBE-në, organizoi aktivitetin zyrtar për shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuar, me synim rritjen e ndërgjegjësimit shoqëror dhe promovimin e të drejtave të kësaj kategorie.
Në aktivitet morën pjesë anëtarë të KKSB-së, përfaqësues të institucioneve lokale, mësimdhënës, prindër dhe akterë të tjerë relevantë, të cilët u angazhuan në diskutime rreth rëndësisë së përfshirjes dhe barazisë së mundësive.
Koordinatorja e KKSB-së, znj. Gentiana Iberhysaj Mazrekaj, në adresimin e saj institucional, theksoi përgjegjësinë e institucioneve për të garantuar një mjedis të qasshëm, infrastrukturë gjithëpërfshirëse dhe shërbime të përshtatshme për personat me aftësi të kufizuar.
Në kuadër të aktivitetit u hap edhe një ekspozitë me piktura të realizuara me përkushtim nga znj. Fjolla Januzaj, e cila solli një vlerë të shtuar artistike dhe sensibilizuese për të pranishmit.
Ky aktivitet shënoi një hap të rëndësishëm në avancimin e politikave lokale për përfshirje sociale dhe theksoi nevojën për mbështetje të vazhdueshme institucionale ndaj personave me aftësi të kufizuar.