Sot në Komunën e Deçanit u mbajt konsultimi publik lidhur me draft-rregulloren për organizimin e brendshëm dhe sistemimin e vendeve të punës në administratën komunale.
Konsultimi u hap nga kryesuesi, z. Hajdar Sutaj, i cili theksoi rëndësinë e përfshirjes së qytetarëve dhe grupeve të interesit në procesin e hartimit të rregulloreve që ndikojnë drejtpërdrejt në funksionimin e administratës dhe ofrimin e shërbimeve publike.
Një shpjegim të detajuar të përmbajtjes së draft-rregullores e dha Menaxheri i Burimeve Njerëzore, z. Enver Cacaj, i cili prezantoi strukturën e re të propozuar dhe qëllimet që synohen të arrihen përmes këtij dokumenti si efikasitet më i lartë, ndarje më e qartë e përgjegjësive dhe përmirësim i shërbimeve për qytetarët.
Gjatë takimit u dhanë mundësitë për komente, sugjerime dhe propozime nga pjesëmarrësit, me synim që versioni përfundimtar i rregullores të jetë sa më gjithëpërfshirës dhe në përputhje me nevojat reale të administratës dhe komunitetit.
Komuna e Deçanit falënderon të gjithë pjesëmarrësit për kontributin dhe interesimin e treguar dhe mbetet e përkushtuar për një administratë më transparente, profesionale dhe në shërbim të qytetarëve.