Kekë Ahmetaj, Shaban Bojku, Ahmet Shala, Bajram Ahmetaj dhe Ukë Balaj,janë pesë mësimdhënës të shkollës fillore të mesme të ulët “Isa Boletini” në Isniq të Deçanit, të cilët janë pensionuar. Me rastin e pensionimit të tyre Kryetari i Komunës së Deçanit z.Rasim Selmanaj në bashkëpunim me drejtorin e shkollës Shaban Mehemtaj, kanë organizuar një ceremoni solemne, në sallën e Asamblesë Komunale në Deçan, me ç’rast me nga një mirënjohje simbolike i kanë nderuar mësimdhënësit tashme të pensionuar.
Në fjalën e tij kryetari i Komunës së Deçanit z.Rasim Selmanaj, duke i falënderuar këta mësimdhënës për kontributin e tyre në edukimin e gjeneratave, ka pohuar se kjo ceremoni është një gjë shumë simbolike karshi veprës së tyre madhore për arsimin shqip” Ne u jemi shumë falënderues ju mësimdhënës të dashur që tashme po shkoni në pension. Gjeneratat e gjenerata do të ju kujtojnë për kontributin e juaj dhënë arsimit në vend. Ju veç se në kohët më të vështira rrokët ditarin, u dhatë dije gjeneratave të reja, ishit edhe prijës dhe bashkorganizatorë të shumë ngjarjeve me rëndësi për vendin dhe kombin. Ne si prijës të institucioneve dhe ata që vinë pas nesh do të mburremi me veprat tuaja. Prandaj në emër të të gjithë qytetarëve të Komunës së Deçanit më lejoni që t’iu uroj pensionimin, dhe t’iu dëshiroj ditë të lumtura dhe të gjata në pension si dhe gjitha të mirat në familjet e juaja” tha kryetari Selmanaj.
Edhe drejtori i shkollës fillore të mesme të ulët “Isa Boletini” në Isniq, Shaban Mehmetaj i ka falënderuar mësimdhënësit që janë pensionuar “ Kontributi i juaj, është udhë rrëfim për ne si gjenerata të reja për të avancuar arsimin shqip në vendin tonë. Ne e që ishim edhe nxënësit tuaj, ndihemi krenarë që patëm mësimdhënës sikurse ishit ju, një herësh ne patëm edhe fatin që të jemi edhe koleg me ju. Urojë që pensionin ta gëzoni maksimalisht, dhe të keni një pleqëri të lumtur me familjet tuaja. Ne në shkollë padyshim se do të na mungoni” tha Mehmetaj me këtë rast.
Një fjalë përshëndetëse në emër të mësimdhënësve të pensionuar ka mbajtur edhe vajza e Kekë Ahmetaj, Burbuqe Ahmetaj. Farë në fund kryetari i Komunës së Deçanit z.Rasim Selmanaj dhe drejtori i shkollës Shaban Mehemtaj, u kanë ndarë mirënjohje të pesë mësimdhënësve të pensionuar.