Vetëm pak ditë pas ndarjes nga jeta, Dr. Shyt Shalës, iu dha post mortum një mirënjohje nga ana e Komunës së Deçanit. Kryetari I Komunës Rasim Selmanaj në një vizitë që I bëri familjes së bashku me disa bashkëpunëtor dhe ish koleg të mjekut të ndjerë, I ndan mirënjohje me motivacion : Në shenjë mirënjohje dhe respekti për kontributin e dhënë në profesionin fisnikë e human të mjekut, e veçanërisht gjatë okupimit klasik të viteve të ’90, gjatë luftës çlirimtare dhe kontributin në krijimin dhe avancimin e institucioneve shëndetësore pas lufte.
Dr.Shyt Shala, ishte shembulli më i mirë i profesionistit dhe njeriut të përkushtuar në shërbim të popullit të tij, gjatë gjithë jetës.
Duke u shprehur edhe njëherë ngushëllime familjes Shala, kryetari i Komunës së Deçanit Rasim Selmanaj tha se kjo nuk ka qenë humbje vetëm për familjen Shala por për gjithë Komunën e Deçanit e në veçanti një humbje e madhe për shëndetësinë tonë. “Dr.Shyti ishte nismëtarë i vendosjes në binarë të shëndetësisë sonë. Mungesa e tij do të jetë evidente, por shpresoj se edhe humbja e jetës së Dr. Shytit të jetë cytje për ne si institucione dhe për kolegët e tij që ta qojmë përpara shëndetësinë kosovare ashtu siç e ëndërroj dhe siç punoj Dr.Shyt Shala” tha mes tjerash Selmanaj.
Në anën tjetër Fetie Shala motra e doktorit tashmë të ndjerë Shyt Shala, tha se “Ndarja e kësaj mirënjohje nga ana e juaj zotëri Kryetar, ne si familje na ngushëllon dhe na jep forcë, që të përballojmë më lehtë vdekjen vëllait,prindit e bashkëshortit tonë. Ne si familje kemi humbur jo vetëm një anëtarë, por kemi humbur njeriun model të jetës sonë. Çdo anëtar i familjes sonë Shytin e kishim si pikënisje për jetë, por edhe këshilluesin me të drejt për këtë aspekt” tha mes tjerash ajo.
Ndryshe Dr.Shyt Shala, vite të tëra punoj në departamentin e Gjinekologji-akusheri në Qendrën Kryesore të mjekësisë Familjare “Adem Ukëhaxhaj” në Deçan.
U nda nga jeta ditë më parë në një aksident deri sa kthehej nga kujdestaria e natës.