Në shenjë të përkrahjes së Ramush Haradinajt, dhe lutjeve për lirimin e tij nga Haga, në Deçan, OVL e UÇK-së, ka organizuar aksionin vullnetar për dhurimin e gjakut me moton: “Me Ramushin”.
”. “Ata që kanë derdhur gjakun nëpër betejat për liri, edhe sot po dëshmohen në dhurimin e tij, për të shpëtuar jetë, dhe gjithsesi për të treguar vullnetin tonë në përkrahje për lirimin e Ramushit nga Haga”, ka thënë Abdyl Musholaj, kryetar i OVL të UÇK-së për Dukagjin, i cili bashkë me aktivistët e kësaj organizate ka organizuar aksionin e tretë të radhës. Mushkolaj, i cili i pari u gjend në shtratin, prej ku nga dora e tij, pikonte gjaku për të shpëtuar jetë, ka treguar se të parët e këtij aksioni ishin çlirimtarët, por sipas tij nuk kanë munguar edhe shumë qytetar dhe sidomos të rinjtë e kësaj komune.
Edhe ekipi i mjekëve dhe personelit tjetër mjekësor shprehën të kënaqur me numrin e dhuruesve vullnetar të gjakut. “Ky aksion tashmë tradicional, i cili po realizohet në Deçan, ka rëndësi shumëdimensionale”, ka thënë Dr. Mehrie Malaj, nga Kabineti i Transfuzionit në Pejë, e cila thotë se për dallim nga komunat tjera, Deçani dallohet me një gatishmëri të tillë. Sipas saj, janë këto dy arsye që deçanasit i preokupojnë të dallohen. Në një anë humaniteti për të shpëtuar jetë, kurse në anën tjetër vullneti për lirimin e Ramushit, e bëjnë edhe më të fuqishëm vullnetin e të gjithë qytetarëve për të dhuruar gjakun e tyre të shtrenjtë, është shprehur ajo duke u deklaruar se deri në mesditë numri i vullnetarëve të gjakut ishte mbi 60 veta, kurse deri në mbrëmje pritet të dyfishohet.