Zyrtar të ATRC-së në takimin e mbajtur me zyrtar komunal dhe përfaqësues të shoqërisë civile, kanë promovuar projektin “Buxhetimi me pjesëmarrje”. Ndërkaq, gjatë debatit janë prezantuar problematikat e ndërlidhjeve të pushtetit lokal me përfaqësuesit e komunitetit, kurse si nevojë e lidhjes së këtyre hallkave të shkëputura është vlerësuar funksionalizimi i Bashkësive Lokale.
Gjithnjë në kuptim të një qeverisje më të mirë, është kërkuar transparencë e mirëfilltë për shpenzimin e parasë publike dhe përgjegjësi e të gjitha departamenteve të pushtetit lokal.
Pasi ka folur për shumë projekte të realizuara nga ATRC-ja, Nora Susuri, ka shpjeguar rëndësinë e buxhetimit me pjesëmarrje, duke prezantuar përvojat e shumë shteteve, të cilat sipas saj mund të realizohen edhe në komunat e Kosovës. “Buxhetimi me pjesëmarrje, rrit transparencën dhe gjithsesi ngushton mundësitë për devijime dhe korrupsion”, ka thënë ajo, duke lënë të kuptohet se krijimi i këtij mekanizmi do të fuqizon përgjegjësinë dhe llogaridhënien për shpenzimin e parasë publike, por edhe përcaktimin e prioriteteve dhe të një shpërndarje proporcionale të buxhetit.
I përkrahur nga pjesëmarrësit në debat, ky projekt, shumica prej tyre kanë kërkuar funksionalizimin e Bashkësive Lokale, duke vlerësuar kështu si mundësi të ndërlidhjes me pushtetin lokal. “Pavarësisht se gjatë projektimit të buxhetit, organizohen debate publike, kërkesat e komunitetit parashtrohen përmes zyrës përkatëse”, ka thënë Bashkim Ramosaj, drejtor për Administratë, i cili njëkohësisht ka shprehur gatishmërinë e komunës për mbështetjen e projektit të ATRC-së. Një mbështetje të tillë ka ardhur edhe nga përfaqësues të shoqërisë civile. Sadri Lokaj, nga Shoqata e Intelektualeve të Pavarur, (SHIP), ka thënë së përmes debateve me qytetar, komunikimit të vazhdueshëm me përfaqësuesit e tyre, veprimet e pushtetit lokal vetëm sa mund të fuqizohen edhe më shumë. Ndaj, sipas tij “ky zinxhir i shkëputur duhet të lidhët me hallka të funksionimit edhe të qeverisjes edhe nëpër zonat rurale, dhe jo të gjitha të mirat të koncentrohen në zonën urbane”.