Rasim Selmanaj, kryetar i Komunës, bashkë me veteran të sportit, të mërkurën në Deçan solemnisht kanë vënë gurin e themelit për ndërtimin e stadiumit të futbollit.
. Në aktin solemn pos zyrtarëve komunal merrnin pjesë edhe shumë të rinj të kësaj komune si dhe sportist të fushave të ndryshme, të cilët janë ndierë mirë për angazhimet e udhëheqjes komunale në krijimin e kushteve për zhvillimin e sportit.
“Po ndërtojmë objekte infrastrukture për zhvillimin e sporteve në këtë komunë”, ka thënë Selmanaj, i cili po në këtë hapësirë në pranverë kishte venë gurëthemelin e Palestrës sportive. Ai ka treguar se për stadiumin e futbollit nga buxheti i komunë ka ndarë rreth 100 mijë euro, ndërkohë të pranishmeve iu ka përkujtuar edhe realizimin e projekteve të tjera të kësaj fushe në zonat rurale. Krahas ndërtimit të objekteve të infrastrukturës, siç tha ai këtë vit janë arritur rezultate të mëdha jo vetëm në aktivizimin e klubeve, duke veçuar këtu suksesin e KF “Deçani”, i cili u bë kampion i Ligës së dytë futbollistike të vendit.
Manifestimi i fillimit të punimeve është shoqëruar edhe me kremtimin e suksesit të arritur të KF “Deçani’’. Ambientet e restaurantit “Maturanti” në Deçan kanë qenë të ngushta për ti pranuar të rinjtë dhe sportistët të cilët kanë kremtuar titullin e kampionit të këtij klubi. Para se të fillojë kënga e shumë këngëtarëve të estradës Kosovare, Avni Rexhaj, zyrtar komunal për zhvillimin e sporteve pasi ka veçuar përkrahjen e të parit të komunës, ka folur për zhvillimin e sportit në këtë komunë, i cili sipas tij, ka filluar jo vetëm të ringjallet, por edhe të krijojë vlera për lakmi. Në këtë solemnitet, kryetari Selmanaj, ka ndarë mirënjohje për gjeneralin Daut Haradinaj, i cili edhe ishte i pranishëm në këtë festë të dyfishtë.