Dëmet e shkaktuara nga vërshimet në komunën e Deçanit , vlerësohen të mëdha, ndërkohë është kërkuar ndihma e Qeverisë së Kosovës për kompensimin e tyre.
Sipas komisionit vlerësues i ngritur enkas pas vërshimeve vlerësohet se këto dëme kanë shkatërruar infrastrukturë rrugore, ura, rrjetet e ujësjellësit, kanalizimit dhe sipërfaqe të tëra të mbjella me grurë. Në këto rrethana nuk janë kursyer as bizneset private dhe shtëpi banimi në të cilat është futur ujë.
“ Nga vërshimet kemi pësuar shumë, të cilat për fuqinë buxhetore të komunës sonë është e pamundur të kompensohen, ndajë edhe do të kërkojmë ndihmën e Qeverisë së vendit”, ka thënë Rasim Selmanaj, kryetar i Komunës, i cili në këtë kuadër ka sqaruar se dëmi i shkaktuar është mbi 1 milion e 200 mijë euro. Sipas tij, vërshimet dhe sidomos dalja nga shtrati i lumenjve kanë shkatërruar një pjesë të infrastrukturës rrugore, disa urave, por edhe rrjetet e ujësjellësve, kanalizimeve si dhe të mbjellave vjeshtore. Ai tregon se në Deçan nuk kanë munguar përpjekjet për stabilizimin e gjendjes nga pasojat e vërshimeve, por gjithsesi kërkohen investime për të sanuar të gjitha pasojat, duke besuar se nuk do të mungojë ndiha e Qeverisë së Kosovës.
Pos dëmeve të shkaktuara në fshatrat Baballoq, Rastavicë dhe Jasiq të Ri,të cilat për dy ditë me radhë me vendbanime dhe fusha kanë “notuar” mbi ujë, dëme të mëdha ka pësuar edhe ujësjellësi i Deçanit, nga i cili me ujë të pijes pos qytetit furnizohen edhe disa vendbanime rreth tij. Kështu, thotë Admir Hasanaj, drejtor i Drejtorisë për Shërbime Publike. “Dëmet në rrjetin e këtij ujësjellësi janë shumë të mëdha dhe përkundër asaj se ndërmarrja komunale ka filluar aftësimin e tij, është e pamundur riparimi i plotë pa investime ”, sepse NPK “Ujësjellësi”, nuk i ka këto mundësi për këtë dhe rregullimin e rrjetit edhe në ujësjellësit tjerë ku janë shkaktuar dëme të ngjashme. Ai tregon edhe për dëmet e shkaktuara në infrastrukturën rrugore. “Vërshimet kanë dëmtuar 20 kilometra rrugë dhe shumë ura mbi lumenj”, ka thënë Hasanaj, duke adresuar të gjitha fajet në ngushtimet e mëdha të shtrateve të lumenjve, të cilat siç tha ai “nuk kemi qare” pa i hapur dhe njëherë e përgjithmonë t’i sigurojmë ato nga uzurpimet dhe hedhja e mbeturinave urbane. Sipas zyrtarëve të kësaj drejtorie dëmet tjera janë shkaktuar në fushën e bujqësisë, ekonomive familjare dhe të bizneseve. “Vetëm në kompaninë “Gogaj AG”, futja e ujit në depon e saj, ka shkaktuar dëme në vlerë prej 70 mijë eurosh”, ka treguar ai, duke numëruar edhe raste të tjera në vlerta më të vogla. Zyrtarë të kësaj komune thonë se “nga ky pësim duhet mësuar”, duke premtuar se vitin e ardhshëm do të punojnë në hapjen e shtrateve të lumenjve dhe njëherë e përgjithmonë të sigurohet rrjedha e tyre me pasoja sa më të vogla.