Para qindra qytetarëve, familjarëve të dëshmorëve, të pagjeturve dhe autoriteteve komunale, Rasim Selmanaj, kryetar i Komunës, të mërkurën ka bërë përurimin e fillimit të punimeve të ndërtimit të memorialit përkujtimor “Masakra e Belegut”, i cili konsiderohet si i vetmi satisfaksion për familjarët e të pagjeturve, për të cilët tash 12 vjet, jetojnë nën ankth për fatin e tyre.
Duke përkujtuar pasojat e kësaj masakre, ai ka treguar se bilanci i sajë ishte i rëndë. Pos të vrarëve dhe të zhdukurve nga komunat tjera,vetëm nga komuna e Deçanit, janë 10 të vrarë, 37 të pa gjetur , qindra të depërtuar dhunshëm në Shqipëri dhe gjithçka e djegur dhe rrënuar. Këtë ngjarje të kobshme të 12 viteve më parë , ai e ka quajtur ,,kamp përqendrimi, ndërsa drejtësinë të vonuar për ndëshkimin e aktorëve të krimit”, kurse angazhim të pa mjaftueshëm të institucioneve të vendit dhe atyre ndërkombëtare për zbardhjen e fatit të pagjeturve tanë. Sipas Selmanaj, Komuna e Deçanit do të bëjë presion të vazhdueshëm tek institucionet ndërkombëtare dhe të vendit për zbardhjen e fatit të pagjeturve, sepse kjo masakër e mistershme flet shumë për të zgjuar ndërgjegjen e drejtësisë për të ndëshkuar aktorët e krimeve, ngase edhe të pagjeturit janë pjesë e lirisë.
Sipas vlerësimeve të Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, Deçani në krahasim me numrin e banorëve e ka paguar më së shtrenjti çmimin e lirisë. Në luftën e fundit kanë rënë 592 qytetar të kësaj komune, kurse prej tyre 329 janë civil, gjinish dhe moshash të ndryshme, madje edhe dy fëmijë. Aktualisht në listën e të pagjeturve, figurojnë edhe 85 emra, ku 39 prej tyre janë nga “Masakra e Belegut”.