Në Deçan ka filluar zgjerimi dhe asfaltimi i rrugës “Haki Povataj”, njërës ndër rrugët më problematike të qytetit, e cila shpie në drejtim të dy shkollave të mesme, por deri tani ishte vetëm njëdrejtimëshe. Për të nisur punimet, paraprakisht është marrë përkrahja e qytetarëve dhe pronarëve të kësaj rruge, të cilët nuk kanë kursyer pjesë të pronave të tyre e as objektet e përkohshme ku janë rrënuar 7 sosh. Ekskavatorët e kompanisë “Lika Trade” e cila ka fituar tenderin, kanë bërë rrafsh me tokë 7 objekte me leje të përkohshme, shtojca të objekteve tjera dhe rrethoja, ndërkohë kanë filluar trazimin e kësaj rruge, e cila do të ndërtohet për 30 ditë pune.
Pos rrugës “Sali Çeku”, kjo do të jetë rruga e dytë në Deçan, e cila do të ndërtohet sipas standardeve Evropiane, ka thënë Rasim Selmanaj, kryetar i Komunës, ndërkohë ka konfirmuar se rrënimet e objekteve pa leje dhe me leje të përkohshme do të vazhdojnë, varësisht nga mundësitë për investime të reja, gjithmonë duke u përqendruar në projekte të cilat shkojnë në drejtim të ndryshimeve për një qytezë urbane. “Po rrënojmë objekte me leje të përkohshme dhe ato pa leje ndërtimi për të ndërtuar rrugë funksionale dhe me standarde”, është shprehur Selmanaj, duke falënderuar qytetarët si përkrahës të këtyre ndryshmeve, kurse në rastin konkret pronarët e objekteve të rrënuara dhe pronave tjera për zgjerimin e kësaj rruge, e cila sipas tij do të lidhët me rrugën “Skënderbeu” të qytetit.
Ramë Melaj, drejtor i Drejtorisë Komunale për Urbanizëm, thotë se do të ndërtojmë një rrugë me standarde bashkëkohore, ndriçim trotuare dhe hapësira të gjelbra. Ndërkaq, sipas tij në këtë kuadër do të ndërtohet edhe një kanal me ujëvarë, e cila gjithsesi do të shtojë bukurinë e qytezës që pretendon të jetë në funksion të zhvillimit të turizmit. “Do të ndërtojmë rrugë me të gjitha standardet”, thotë drejtori Melaj, sepse sipas tij, kjo e tanishmja ishte një “fyt” shumë i ngushtë për të pranuar qarkullimin e nxënësve të dy shkollave, qytetarëve dhe automjeteve. Projekti e kësaj rruge me një kosto prej 200 mijë eurosh, është financim i Ministrisë të Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), e cila edhe vitin e kaluar kishte dhënë po kaq para për ndërtimin e rrugës “Sali Çeku”.