Në qytetin e Larvikut, së bashku me drejtorin e IAAP “Tafil Kasumaj”, z. Lan Stojkaj, dhe kolegun, z.Egzon Binakaj, kryetari Ramosaj u prit nga bashkatdhetari ynë Diti Berisha, drejtor i gjimnazit “Thor Heyerdahl”, si dhe drejtues të tjerë të këtij institucioni arsimor.
Gjatë takimit u diskutua për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve, me ç’rast pala norvegjeze shprehu gatishmërinë për një donacion të dytë me pajisje dhe makineri për profilet e automekanikës dhe shëndetësisë – infermierisë.
Ndërsa, në takimin me përfaqësuesit e kompanisë norvegjeze të inxhinierisë së teleferikëve, në fokus ishte shqyrtimi i mundësive teknike për zhvillimin e infrastrukturës së skijimit dhe shfrytëzimin e potencialit turistik të bjeshkëve të Deçanit.
Të dyja takimet përfaqësojnë hapa të rëndësishëm drejt zgjerimit të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe krijimit të mundësive konkrete për zhvillimin e arsimit dhe turizmit në komunën tonë.
Palët shprehën gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit përmes vizitave të ndërsjella në Deçan dhe Norvegji.