Shkrimtar të Shqipërisë, Malit të Zi dhe Kosovës, kanë vizituar komunën e Deçanit, me ç’rast kanë vizituar edhe varrin e shkrimtarit të njohur malazez, Radoman Zogoviq, i njohur me veprën e tij, “Këngët e Ali Binakut”.
Ata, në mesin e të cilëve ishte edhe shkrimtari I njohur Jevrem Berkoviq, pastaj, Mirash Martinoviq, Agim Vinca, Rexhep Feri dhe të tjerë, të organizuar në Shoqatën Rajonale të Shkrimtarëve ”TEUTA”, paraprakisht janë pritur nga kryetari i komunës së Deçanit, z.Rasim Selmanaj.
Ai, në mirëseardhjen e këtyre shkrimtarëve, ka thënë se, Deçani çdo herë është i nderuar me praninë e shkrimtarëve dhe krijuesve tjerë, sepse nga këtu kanë dal edhe Jusuf Gërvalla, Radoman Zogoviq dhe artist tjerë të mirënjohur, duke bërë që Deçani të krenohet me këta emra të kulturës dhe artit. “Qëndrimi i shkrimtarit Zogoviq, ishte trimërues”, ka thënë Selmanaj, i cili në shenjë respekti për poetin e njohur Berkoviq, i jep si dhuratë, përkrenaren e Skënderbeut, të një autori Deçanas.
Ndërkaq, Jevrem Berkoviq, i entuziazmuar për priten dhe respektin e bërë, ka thënë se jemi krenar në vizitat që bëjmë në Deçan, në vendin e krijuesve të mëdhenj, në vendlindjen e shkrimtarit të mirënjohur, Radoman Zogoviq, i cili kishte reaguar hapur ndaj dhunës serbe që ushtrohej mbi shqiptarët e Kosovës, duke kërkuar që pluhurin e eshtrave të tij, ta vendosnin në Deçan, afër varreve të familjes së tij. “Askush nuk mundet si Zogoviqi” është shprehur Berkoviq, i cili do nderohet edhe me çmimin “Teuta” që ndahet nga shoqata në fjalë.