Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, njëherit kryetari i bashkisë së Tiranës Lulzim Basha, është shpallur ,,Qytetar nderi”i komunës së Deçanit. Në sallën e Asamblesë Komunale të Deçanit, krytari i komunës z.Rasim Selmanaj , gjatë kësaj ceremonie tha se: Është nderë i veçantë për të gjithë ne, momenti i sotëm.Ky nderë shumëfishohet, në ditën e shënuar, në të cilën po ndodh. Sot, në 24 marsin e dyfishtë – 16-vjetorin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dukagjin, dhe 15-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s kundër caqeve serbe në Kosovë, e kemi në mesin tonë liderin demokrat, liderin e së djathtës në Shqipëri dhe kreun e Bashkisë së Tiranës, z. Lulzim Basha. Z. Basha, edhe njëherë, mirë se erdhe nga Shqipëria në Shqipëri! Faleminderit që, po prej kësaj dite, do të jesh edhe ,,Qytetar Nderi” i Deçanit e, rrjedhimisht, edhe ,,Qytetar Nderi ” i Republikës sonë dhe tuajës – Kosovës! Sot, njëkohësisht kujtojmë dëshmorët dhe martirët e shumtë, ngjarjet dhe personazhet që shënuan Epopenë e Dukagjinit, në luftën më të fundit dhe vendimtaren, për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Bashkarisht bëjmë homazh dhe i përulemi kujtimit të sakrificës të të gjithë atyre që shënuan këtë ditë dhe që i dhanë trajtë përpjekjes sonë vendimtare për lirinë. Në këtë ditë, shprehim edhe falënderimin tonë për Aleancën Veriatlantike – NATO-n, që mbështeti dhe përkrahu luftën e drejtë të UÇK-së dhe të popullit të Kosovës. Aktivitetet tona në shënimin e kësaj dite, janë të shumta. Kjo ceremoni solemne e dorëzimit të Çmimit ,,Qytetar Nderi” i Komunës së Deçanit, për z. Lulzim Basha, për ne është nderë i veçantë.Z. Lulzim Basha është kryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë që udhëheq me Tiranën. Është figurë e njohur e së djathtës shqiptare. Veç tjerash, lideri demokrat Basha ,është mbështetës i fuqishëm i rrugës së Kosovës drejt pavarësisë dhe lobues i madh në diplomaci, për njohjen dhe afirmimin e shtetit tonë në botë.Andaj, ishte më se i merituar vendimi unanim e njëzëri i juaj asambleistë të nderuar të Deçanit, që z. Basha,me këtë çmim që po ia ndajmë sot, ta kemi nderin e qytetit tonë.Ne kishim nderin, po ashtu, që liderin emblematik të së djathtës shqiptare, z. Sali Berisha, ta kemi në mesin tonë më herët. Andaj, ngjarja e sotme është vazhdim i traditës në këtë relacion. E, ruajtja e traditës e shquan të djathtën, por edhe është veçanti e kombit tonë. Faleminderit dhe urime, posaçërisht juve, z. Basha, nga sot bashkëqytetar nderi i imi dhe i të gjithë deçanasve!-Ndërsa z.Basha në mes tjerash tha tha se:,,… atij i është bërë nder i madh pasi është ftuar të jetë pjesë e gjirit të familjes fisnike të deçanasve. Unë ju falenderoj për këtë nderë të madh. Ju them se sot po ndjehem njëri prej jush, ndonëse, përherë jam ndjerë pjesë e familjës së madhe të shqiptarëve të Kosovës, si nip Kosove, nip Peje. Ky nder i veçantë përulësisht më zgjon ndjenjën e veçantë të përgjegjësisë, si i zgjedhur i bashkisë së kryeqytetit, si qytetar i Tiranës, si shqiptar, një ndjenjë e madhe përgjegjësie për të merituar plotësisht vlerën, domethënien e nderit të veçantë që më bëni sot”, tha në fund, pasi e ka pranuar titullin “Qytetar Nderi”.