Në mbledhjen e parë të asamblesë komunale për vitin kalendarik 2011 , legjislativi komunal, njëzëri ka miratuar rregulloren për të drejtat, detyrat dhe përgjegjësitë e nxënësve të shkollave të mesme të kësaj komune, e cila përmes 70 neneve të saj, ka për qëllim krijimin e një rendi shtëpiak dhe disipline në procesin mësimor,
duke pretenduar flakjen e shumë problemeve që aktualisht reflektohen nëpër këto institucione shkollore. Gjatë debatit, këshilltarët e këtij Kuvendi, kanë vlerësuar se një rregullore e tillë e bazuar në Ligjin përkatës, është domosdo përballë problemeve të ndryshme që vazhdojnë të reflektohen nëpër shkollat tona. Para se të miratohej kjo rregullore e rëndësishme i gjithë debati është zhvilluar rreth masave ndëshkimore në raste të konsumimit apo shpërndarjes të narkotikëve dhe mbajtjes së armëve të ftohta dhe të zjarrta. Sipas këshilltarëve Sadete Islamaj dhe Enver Osdautaj, neni 32 i kësaj rregulloreje i cili për aktorët e tillë, përcakton masën e largimit nga shkolla deri në 3 ditë, është shumë i “butë”, ndaj sipas tyre për këto raste duhet aplikuar neni 35 i cili përcakton masën e përjashtimit nga shkolla.Megjithatë, pjesa tjetër e pjesëmarrësve në debat, nenin 32 të kësaj rregulloreje e kanë vlerësuar si masë preventive, kurse për rastet e përsëritura kanë kërkuar aplikimin e masës përjashtuese nga shkolla. Kjo është përkrahur nga Qazim Maloku, drejtor i DKA-së, i cili në arsyetimin e tij, ka thënë se kështu parashihet edhe me Ligjin e MASHT-it.Ai për më tepër ka kërkuar që të gjitha drejtoritë e shkollave përkatëse të hartojnë rregulloret e tyre, gjithnjë duke u bazuar në Ligjin përkatës por edhe në rregulloren e këtij Kuvendi. Pjesa tjetër e debatit është përqendruar në masat që duhet marrë në mbylljen e disa lokaleve në rrugën që shpie në drejtim të dy shkollave të mesme në Deçan. Po ashtu sot nga të gjithë asamblistët është miratuar edhe vendimi për caktimin e orarit të mbajtjes së mbledhjeve të rregullta dhe mbledhjeve të kuvendit komunal të Deçanit si dhe mbledhjeve të KPF-së për vitin 2011.