Problemi i kamotshëm i ujësjellësit të Isniqit, fshatit më të madh në komunë do të zgjidhet brenda këtij viti.
Për këtë qëllim kanë nisur punimet në ndërtimin e ujësjellësit të ri, duke e mbyllur atë me gypa prej asbestit për ta ndërtuar rrjetin e ri me gypa plastik. Derisa, hartimi i projektit është financuar nga isniqasit, paraja për ndërtimin e tij është siguruar nga donacionet e Qeverisë së Kosovës, përkatësisht nga pakoja e ndihmës për Deçanin në vlerë prej 700 mijë eurosh, ndërkohë që projekti i ujësjellësit të Isniqit ka koston prej 257.900 euro.
Ramë Melaj, drejtor i Drejtorisë së Urbanizmit, tregon se brenda këtij viti do të kryhen të gjitha punimet në ndërtimin e rrjetit te ri. “Nuk do të ndalim nga funksionimi ujësjellësin e vjetër në mënyrë që edhe gjatë kohës së punimeve të këtë furnizim me ujë të pijes, ndërkohë paralel me këtë do të ndërtojmë rrjetin e ri”, ka thënë ai, duke treguar se pos rrjetit primar në gjatësi prej 9.200 metrash do të ndërtohet edhe objekti akumulues për ujë, ngase për nevojat e mëdha nuk mjaftojnë kapacitetet e tashme të ujit nga rënia e lirë. Sipas tij, ujësjellësi i ri do të ndërtohet sipas të gjitha normave bashkëkohore dhe me qëndrueshmëri afatgjate jo vetëm sa i përket rrjetit dhe objekteve tjera, por edhe kapaciteteve të mjaftueshme të ujët dhe cilësisë së tij.
Duke u shprehur i kënaqur me investimet e deritashme, Rasim Selmanaj, kryetar i Komunës, ka thënë se projekti i ujësjellësit në Isniq, është i rëndësisë së veçantë dhe për këtë arsye ka hyrë në pakon e donacionit qeveritar. “ Donacioni qeveritar në vlerë prej 700 mijë eurosh nga ka shtuar fuqinë për realizim projektesh me rëndësi jetike “, ka thënë kryetar Selmanaj, i cili ka treguar se nga këto para dhe nga buxheti i komunës tani ka nisur realizimin e 4 projekteve të rëndësishme, të cilat do të jenë në funksion të zhvillimit dhe të mirëqenies së qytetarëve. Pos ujësjellësit të Isniqit, kemi nisur punimet edhe në asfaltimin e rrugës në Drenoc në gjatësi prej 4 kilometrash, rrjetit të kanalizimit të ujërave të zeza në këtë vendbanim dhe në ndërkohë do të fillojnë punimet edhe në dy projekte të tjera infrastrukturore, përkatësisht asfaltimin e rrugës së Osmanajve në Isniq dhe asaj Gramaqel-Shaptej. Ai ka treguar se brenda këtij viti, në Deçan po realizohen 25 projekte me rëndësi jetike për qytetarët.