“Kemi nisur të gjitha përgatitjet për regjistrimin e popullsisë,ekonomive familjare dhe banesave”, ka thënë Bashkim Ramosaj, drejtor i i Drejtorisë për Administratën Komunale, në takimin e organizuar nga ATR dhe të Entit të Statistikave të Kosovës.
Për më tepër Ramosaj, ka treguar se është formuar komisioni komunal për regjistrim, ndërkohë që është shpallur konkursi për pranimin e personelit i cili do të punojnë në regjistrim. Ai pasi ka folur për rëndësinë e regjistrimit, ka vlerësuar se pos tjerash Deçani, do të përfitojë edhe në ndarjen e mjeteve të grandeve nga Qeveria e Kosovës, ngase deri më tani këto grante janë ndarë vetëm për 40 500 banorë, ndonëse kjo komunë ka një numër më të madh të popullsisë.
Pasi ka shpjeguar rëndësinë e regjistrimit, Kushtrim Kaloshi, drejtor i ATR-së , ka thënë se qëllimi i mbajtjes së këtyre takimeve është jetik, ngase që nga regjistrimi i vitit 1981, Kosova nuk ka pasur ndonjë regjistrim tjetër dhe në shumë aspekte i mungojnë statistikat e gjendjes reale. “Nuk ka asnjë dilemë se kjo është në të mirë të vendit, dhe pas pavarësisë së Kosovës, ky është akti me sublim për qytetarët e këtushëm”, ka vlerësuar ai, duke shpjeguar procedurat e regjistrimit të cilat siç tha ai, interferojnë në standardet evropiane. Regjistrimi i popullsisë dhe ekonomive familjare do të bëhet shtëpi për shpi, ndërkohë që qytetarët mund tu ndihmojnë shumë regjistruesve me praninë e tyre. Ai, po ashtu ka treguar se në partneritet me Entin e Statistikave të Kosovës, ATRC-ja është e gatshme të ndihmojë procesin, natyrisht me sensibilizimin e rëndësisë dhe proceduarat e regjistrimit.
Në këtë takim ku merrnin pjesë qytetar të shumët dhe pjesëtarë të shoqërisë civile, panelistëve iu janë bërë pyetje të shumta. Ndërkaq, një takim i tillë është mbajtur edhe me qytetarët e Junikut, në të cilin po ashtu edhe junikasit janë treguar shumë të interesuar për këtë proces të rëndësishëm.