Kryetari i Komunës Deçan, të mërkurën ka pritur në një takim kortezie zëvendës komandantin e KFOR-it, Gjeneral Marco Antonio Mendes Paulino Serronha.
Gjatë takimit u fol për disa çështje të rëndësishme si dhe për mundësinë e bashkëpunimit në të ardhmen mes KFOR-it dhe Komunës së Deçanit. Kryetari Selmanaj gjatë fjalës së tij njohu general Serronhan me investimet kapitale të bëra nga komuna nga Janari i vitit 2010 dhe njëkohësisht e ka falënderuar atë për ndihmën e KFOR-it në realizimin e shumë projekteve në këtë komunë.
“Deçani është i hapur për bashkëpunim me KFOR-in, dhe ju këtë e dini pasi pak kohë më parë kemi bashkëpunuar për ndërtimin e çerdhes së fëmijëve, një investim prej 135 mijë euro, ku KFOR ka dhuruar 90 mijë euro. Ne kemi disa projekte të gatshme që po realizohen si: Kanalizimi i ujërave të zeza, ndërtimi i palestrës të sportit, që kushtojnë mbi 4 milion euro. Ne gjithashtu kemi projekte për ngritjen e tregut të gjelbër si dhe hapja e një fabrike montazhi që pritet të ndihmojë në punësimin e deçanasve.” ka thënë Selmanaj.
Ndërkohë, Gjeneral Serronha, pasi ka falënderuar për mikpritjen, ka theksuar se KFOR-i mbetet i hapur për bashkëpunim. Gjeneral Serronha, gjithashtu tha se ka mbetur shumë i kënaqur nga investimet e kryera nga komuna e Deçanit, ku siç tha ai, në infrastrukturë ka zhvillime shumë pozitive që janë një sinjal i qartë për punën e mirë të kryer nga komuna e Deçanit. “Siguria dhe zhvillimi janë vlerat më të mëdha të qytetërimit dhe të mirëqenies”, ka pohuar ai, duke vlerësuar se investimi me i duhur për të arritur këtë shkallë është investimi në shkollimin të rinjve. Pas takimit gjeneral Serronha, së bashku me “Liason Monitoring Team” shëtitën nëpër rrugët e Deçanit për të parë edhe më nga afër investimet e kryera deri më tani.