Vepra “Mbushur Kosova gjak e Varre”, e shkruar nga Zeqir Ramosaj, në promovimin e saj, në të cilin merrnin pjesë aderues të shumtë të fjalës së shkruar artistike, pos rëndësisë kronike të ngjarjeve të historisë shqiptare, është vlerësuar si një “emblemë” e realitetit të përpjekjeve të gjitha gjeneratave për çlirim kombëtar, duke veçuar këtu luftën e fundit për çlirimin e Kosovës. Ky vlerësim mbase ishte brendia e atyre që folën për veprën e Ramosajt, i cili u cilësuar edhe si kronist i përballur me historinë më të re të vendit.
Sipas recensentit dhe redaktorit të librit, Halil Haxhosaj, kjo është një vepër historike e shkruar në vargje, ndërkohë “embrioni i saj” është kronologji ngjarjes që nga viti 1981, të cilat Ramosaj, këtë histori e shkruan në mes të poemës dhe rapsodisë. “Heronjtë dhe ngjarjet historike, janë emblemat e UÇK-së dhe betejat e lavdishme të luftës së shënjët”, ka thënë Haxhosaj, duke rikujtuar vargjet për Adem Jasharin dhe heronjtë tjerë të Kosovës. Dhe ashtu siç kishte bërë Gjergjë Fishta me “Lahutën e Malësisë”, ashtu edhe Ramosaj në veprën e tij, flet për armikun shekullor i cili është fajtorët për varret, tokën e djegur, gjenocidin e pa parë dhe përndjekjet masive të shqiptarëve që nga pushteti komunist e deri tek “kasapi” i Ballkanit, Sllobodan Millosheveqi.
Për Ali Çufaj, stili i të shkruarit të kësaj vepre, heronjtë dhe ngjarjet nga kujtojnë periudhën e veprimit të rilindësit shqiptar, të cilët sipas tij, “i jepnin zemër dhe shpirt popullit të vet”. I gjendur përpallë golgotës shqiptare, Ramosaj me vargjet e tij shpërthen si “vullkani i pa shuar’’, duke i dhënë zëmër dhe fuqi, por edhe shpresë, popullit të vet se armiku i tij shekullor po ikën dhe në Kosovën martire po vie liria. Megjithatë, Ramosaj, sikur nuk kënaqet vetëm më lirinë për të cilët meritat më të mëdha ia adreson dëshmorëve, ngase me vargun e tij, kërkon rrugë dhe shtigje të ndërtimit të një shteti të qëndrueshëm, ndërsa shqiptarët i radhit si faktor kryesorë për qetësi në Ballkan. Edhe folësit tjerë Hasan Gjonbalaj, Ali Geci, e tjerë, për librin kanë dhënë vlerësime të përafërta me Haxhosajn dhe Çufajn.