Pronar e pyjeve private të komunës së Deçanit, në takimin e së enjtes, në të cilin ishin të pranishëm përfaqësues të Asociacionit të Pronarëve të Pyjeve Private të Kosovës , Organizatës Holandeze për Zhvillim SNV, APK-së dhe të Drejtorisë Komunale për Bujqësi Pylltari dhe Zhvillim Rural, kanë themeluar shoqatën e tyre dhe njëkohësisht kanë kërkuar një ligj tjetër mbi pyjet ku do të dëgjohet edhe zëri i tyre.
Isuf Mekaj,përfaqësues i APPPK-së, pasi ka shpjeguar për rëndësinë e bashkimit të pronarëve të pyjeve private nëpër shoqatat e tyre ka thënë se ky organizim është “ombrellë institucionale e pronarëve privat me rëndësi të shumëfishtë”. Ai ka treguar se në Kosovë deri tani janë themeluar 9 shoqata të tilla, ndërkohë ka thënë se 42 për qind të tokës pyjore janë në pronësi private, e cila meriton një trajtim institucional.
Duke e përkrahur themelimin e kësaj shoqate Bajram Çekaj, zyrtar i DKBPZH, ka treguar se “nga 18 mijë hektar pyjesh të larta të kësaj komune, 8 161 hektar janë të pronarëve privat, të cilat sipas tij janë të degraduara si ato në pronësi shoqërore. “Themelimi i shoqatës do të jetë shpëtim i dyfishtë, si për pronat private ashtu edhe shoqërore”, ka thënë Çekaj, i cili ndërkohë është shprehur i bindur se bashkimi i pronarëve të pyjeve private do të ndihmojë zvogëlimin e prerjeve ilegale dhe natyrisht edhe vetëdijesimin qytetar për rëndësinë e shumëfishtë të pyjeve të kësaj komune. Edhe pronarët privat janë shprehur optimist se një organizim i tillë është i domosdoshëm, sepse siç ka thënë Enver Osdautaj, njeri nga pronarët privat deri tani ishin “ nën hijen” e APK-së dhe pa ndihmën e askujt më mbrojtën e pyjeve të veta.