Nga sot qyteti I Deçanit ka të zgjedhur problemin e qerdhës së fëmijëve që i ka munguar. Kryetar i Komunës së Deçanit z.Rasim Selmanaj ,Kol/ Carlo Emiliani, komandant i Brigadës Shumëkombëshe Perëndim dhe Hilmi Haradinaj, baba i dëshmorëve të kombit,
në praninë e shumë qytetarëve dhe ushtarakëve të forcave paqeruajtës të KFOR-it Italian, të martën në mesditë në Deçan, solemnisht kanë bërë përurimin e objektit të çerdhes së fëmijëve. Ndërkaq, për ndërtimin e këtij objekti të parë të këtij lloj dhe shumë të rëndësishëm, KFOR-i Italian përmes CIMIC-it ka ndarë 90 mijë euro, ndërsa për këtë qëllim Komuna nga buxheti i saj për projektin e përbashkët ka nda 47 mijë euro. Ndërkohë, kapaciteti i pranimit të këtij objekti është mbi 200 fëmijën, i cili për Deçanin mjafton për një kohë të gjatë.
Pasi ka falënderuar forcat paqeruajtëse për misionin e tyre, z.Rasim Selmanaj, kryetar i Komunës, ka përkujtuar nivelin e bashkëpunimit si dhe të realizimit të shumë projekteve të rëndësishme. “Ky investim i përbashkët, dëshmon edhe njëherë miqësinë, përkrahjen dhe financimin shumë të madh të shtetit mik Italian”, ka thënë kryetari Selmanaj, i cili tutje ka folur për rëndësinë e këtij objekti. Ai ka shprehur besimin se gjithnjë në kuadër të këtyre raporteve të mira do t’i vi radha edhe lirimit e pushimores së fëmijëve “Pishat e Deçanit”. “Edhe pushimorja , njëjtë si kjo godinë të cilën e përuruam sot, është aq e nevojshme për fëmijët e vendit tonë “, ka thënë ai, duke nënvizuar rëndësinë e jashtëzakonshme të saj jo vetëm për Deçanin, por për gjithë Kosovën.
“ Falë një bashkëpunimi të gjatë me komunën dhe komunitetin e saj, në Deçan kemi realizuar shumë projekte në infrastrukturë, shëndetësi dhe arsim, por çerdhja e fëmijëve besojë se do të jetë dhurata me e mirë për fëmijët tuaj”, ka thënë koloneli Emiliani, i cili duke folur për objektin e përuruar ka treguar se fjala është për një objekt me standarde evropiane dhe të pajisur me të gjitha mjetet e nevojshme didaktike. Sipas tij të dyja këto krijojnë mundësi që fëmijët e kësaj komune të kenë ku dhe si është më bukur të kalojnë pjesën më të rëndësishme jetësore. Ai ka premtuar sy ky nuk do të jetë projekti i fundit. “Për aq kohë sa të jetë e nevojshme do të jemi këtu, ndërkohë që asnjëherë nuk do të mungojë mbështetja jonë dhe popullit tim”, është shprehur koloneli Emiliani, duke premtuar vizitën e tij edhe pas mandatit, siç tha ai, për shkak të përshtypjeve të mira dhe miqësinë që ka ndërtuar me deçanasit.