Me 25 maj të vitit 1998, kishte shpërthyer lufta frontale në Strellc të Epërm, e cila në vazhdim mori përmasat e qëndresës në beteja deri në çlirimin e vendit.
. Po atë ditë kishte rënë edhe dëshmori i parë i këtij fshati Ismet Ukaj, ndërkohë në frontet tjera të luftës rënë dëshmor edhe 12 luftëtar të këtij fshati, kurse tani rrezet e lirisë prehën eshtrat e tyre në hapësirat përballë shkollës fillore të këtij fshati, e cila mbanë emrin e dëshmorit Haki Pavataj.
Pas që familjarë të dëshmorëve, përfaqësues të pushtetit lokal dhe veteran të luftës së UÇK-së dhe shumë qytetar, bënë homazhe dhe u vuan lule mbi varret e tyre, Selman Istrefaj, duke përkujtuar këtë përvjetor, ka thënë se “strellcjanët iu përgjigjen zërit të atdheut që në ditët e para të fillimit të luftës për liri, kurse sot krenohet me dëshminë e lavdisë ndaj të gjithë atyre që derdhën gjakun për Kosovën shtet dhe të pavarur”. Ai ka përkujtuar figurën e dëshmorit Ismet Ukaj, i cili i pari në këtë fshat dëshmojë se nuk ka liri pa gjak, pa sakrificën sublime dhe pa largimin e armikut shekullor nga trojet shqiptare. Istrefaj, pasi ka cituar fjalët e shkrimtarit Ismail Kadare, se “ Kosova ka derdhë një det gjaku”, ka thënë se çmimi i lirisë ishte ndër më të shtrenjtë në rruzullin tokësor, ndaj edhe vet shteti i ri është ndërtuar mbi vlerat e luftës së shenjtë.
“Kjo që sot po e shënojnë, është vetëm një kujtim për dëshmorët, sepse obligimi ynë për ta dhe familjet e tyre është shumë më i madh”, ka thënë Rasim Selmanaj, kryetar i Komunës, i cili tutje ka folur për angazhimet institucionale, lidhur me ndërtimin e komplekseve memoriale dhe rregullimin e të gjitha varreve të dëshmorëve, të cilat sipas tij, do të mbesin një histori për ne dhe të gjitha gjeneratat tjera. Sipas tij, komuna ka hartuar projektin për ndërtimin e Kompleksit Memorial në Deçan, ku do të skalitën emrat e të gjithë dëshmorëve të kësaj komune të rënë në luftën e fundit, por edhe në etapa tjera të historisë. Ai tha se sivjet do të fillojë nderimi i varrezave të dëshmorëve në Kompleksin Memorial “Dëshmorët e Kombit” në Gllogjan, kurse vitin e ardhshëm do të nisë rregullimi i të gjitha varreve të dëshmorëve të kësaj komune, ndërkohë brenda dy vitesh në tërë komunën do të kemi varre unikate për të gjithë. “Dëshmorët nuk janë të partive, as të mëhallëve e as të fshatrave dhe të qyteteve, ata janë vetëm të kombit, ndaj Komuna njësojë do të përkujdesët për ta dhe familjet e tyre”, ka vlerësuar Selmanaj, i cili pastaj i shoqëruar nga shumë pjesëmarrës të këtij manifestimi përkujtimor, kanë vizituar familjen e dëshmorit Ismet Ukaj.