Sot në sallën e Kuvendit te Komunës u organizua Orë Letrare dedikuar figurës poetike “Jusuf Gërvalla”, me rastin e përvjetorit të “Epopesë së Dukagjinit”.
24 marsi i vitit 1998 na kujton 24-vjetorin e Lavdisë dhe Krenarisë Kombëtare për t’i dhënë fund vuajtjeve, burgosjeve, përndjekjeve dhe largimit nga trojet tona shekullore dhe për të ardhur deri te epoka e madhe dhe e lavdishme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në përkujtim të luftëtarëve të rënë për liri dhe në përkujtim të “Epopesë së Dukagjinit”, betejës që bëri kthesën e historisë sonë nga familja Haradinaj.
24 marsi i vitit 1999 shënon ndërhyrjen e forcave të NATO-s në Kosovë, fillimin e një momenti të ri për Kosovën që hapi shtegun e Lirisë dhe të Pavarësisë së vendit.
Kjo orë letrare me rastin e përvjetorit kushtuar “Epopesë së Dukagjinit”, bashkoi poetët nga të gjitha trojet shqiptare, për të nderuar luftën e drejtë, përpjekjen e popullit shqiptar në periudha të ndryshme kohore, sepse ndryshe s’ka si cilësohet lufta për mbrojtjen e pragut të shtëpisë dhe interesave jetike të popullit tonë.
Për herë të parë Komuna e Deçanit ndau çmimin letrar “Epopeja e Dukagjinit’’ çmim ky që iu nda poetit z.Besnik Mustafaj. Nën kujdesin e veçantë të Kryetarit të Komunës, z. Bashkim Ramosaj, u nda edhe çmimi për poezi “Jusuf Gërvalla”, për poetin z.Rexhep Shahu.
Poashtu, u bë edhe promovimi i librit “Skulptori që ngjall heronjtë”, për skulptorin Idriz Balani nga qyteti i Durrësit.
Në Orën Letrare kushtuar “Epopesë së Dukagjinit” morrën pjesë 26 poetë, si dhe me këtë rast u ndanë mirënjohje për të gjithë poetët pjesëmarrës.