Sot, në Qendrën Rinore në Deçan, në organizim të Drejtorisë për Zhvillim Ekonomik të Komunës së Deçanit, u mbajt punëtoria përmbyllëse për vlerësimin e turizmit të qëndrueshëm në Kosovë.
Në kuadër të kësaj punëtorie, eksperti i Agjencisë Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA), z. Kakeru Furihata, prezantoi rezultatet e vlerësimit për komunat e Deçanit dhe Prizrenit, me fokus të veçantë në qëndrueshmërinë kulturore dhe mjedisore.
Gjatë diskutimeve u trajtuan sfidat, rekomandimet dhe hapat e ardhshëm drejt përmirësimit të menaxhimit të turizmit, ruajtjes së trashëgimisë kulturore dhe mbrojtjes së pasurive natyrore.
Komuna e Deçanit, përmes Drejtorisë për Zhvillim Ekonomik, mbetet e përkushtuar në zhvillimin dhe promovimin e turizmit të qëndrueshëm, si një sektor me rëndësi për zhvillimin ekonomik lokal dhe valorizimin e potencialeve turistike të komunës.
Me mbështetjen e vazhdueshme të kryetarit të Komunës së Deçanit, z. Bashkim Ramosaj, zhvillimi i turizmit mbetet një ndër prioritetet e rëndësishme të komunës.
Komuna e Deçanit shpreh mirënjohje për Agjencinë Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA), si dhe për përfaqësuesit e Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, në veçanti znj. Geci, për bashkëpunimin, mbështetjen dhe kontributin e dhënë gjatë këtij procesi.