Në bazë të ligjit për takimet publike, u mbajt takimi i dytë publik me qytetarët e Komunës së Deçanit, i organizuar nga Kryetari i Komunës, z. Bashkim Ramosaj, drejtorët e Drejtorive, Kryesuesi i Kuvendit, me qëllim që të jemi sa më transparent dhe llogaridhënës karshi qytetarëve tonë.
Takimin e hapi Kryesuesi i Kuvendit, z. Hajdar Sutaj. Të pranishëm në këtë takim ishin një numër i madh i qytetarëve, të shoqërisë civile, të kryetarëve të këshillave të fshatrave dhe të lagjeve urbane, si dhe palë të tjera të interesuara, ku kryetari i komunës z. Bashkim Ramosaj, prezantoj projektet e realizuara gjatë vitit 2023, aktivitetet, arritjet, sfidat dhe përgjegjësitë, diskutuan për çështje që i preokupojnë qytetarët, për ofrimin e shërbimeve cilësore komunale, pranuan sugjerime dhe propozime lidhur me çështjet me interes të përgjithshëm.
Në këtë takim Kryetari i Komunës, z. Bashkim Ramosaj listoj para qytetarëve projektet të cilat kanë filluar këtë vit si dhe ato që janë në plan për vitin 2024 dhe punët e përfunduara.
Pastaj qytetarët parashtruan pyetje, shqetësime dhe kërkesa të ndryshme, për punën e kryetarit dhe ekzekutivit në përgjegjësi, për të cilat të gjithë morën përgjigje konkrete nga i pari i komunës, duke dhënë sqarimet e duhura për çështje të ndryshme që ata i preokopojnë.
Në fund, kryetari theksoi se komuna dhe ekzekutivi do të jenë afër tyre deri në realizimin e të gjitha projekteve dhe i bëri thirrje të gjithë qytetarët që edhe vitin e ardhshëm të vazhdojmë të jemi bashkëpunues në mënyrë që të realizojmë qëllimet tona në zhvillimin e qytetit sepse pa koordinimin dhe angazhimin e plotë të qytetarëve nuk mund të kemi suksese.
