Takimi i Mekanizmit Koordinues Kundër Dhunës në Familje, ndaj Grave dhe në Baza Gjinore, i organizuar nga Zyra për Barazi Gjinore në Komunën e Deçanit. Qëllimi i takimit ishte shqyrtimi i progresit të arritur deri më tani, si dhe planifikimi i aktiviteteve për periudhën në vijim.
Gjatë takimit, u prezantua Plani i Aktiviteteve për vitin 2025, ndërsa z. Xhavit Nimonaj nga Stacioni i Policisë në Deçan raportoi për rastet e dhunës në familje të raportuara deri në këtë fazë të vitit. Të gjitha institucionet pjesëmarrëse kontribuan me mendimet dhe sugjerimet e tyre për përmirësimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe forcimin e mekanizmave mbrojtës për viktimat e dhunës.
Po ashtu, Dr. Nusret Pepaj propozoi organizimin e një trajnimi për zyrtarët përkatës me temën: “Si të merret një deklaratë nga një person që ka përjetuar dhunë”, si pjesë e përpjekjeve për rritjen e profesionalizmit në trajtimin e rasteve të tilla.
Takimi u zhvillua në frymën e bashkëpunimit dhe angazhimit të përbashkët për zbatimin e Planit të Veprimit Lokal për Parandalimin dhe Luftimin e Dhunës në Familje dhe në Baza Gjinore në Komunën e Deçanit.
Zyra për Barazi Gjinore mbetet e përkushtuar në forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe në adresimin e çështjeve që cenojnë sigurinë, dinjitetin dhe mirëqenien e qytetarëve, me theks të veçantë në mbrojtjen e viktimave të dhunës dhe promovimin e barazisë gjinore.